الوصف
كتاب نافع باللغة الألبانية، موجه خصيصًا إلى المسلم الجديد الذي يحتاج إلى معرفة أسس الإسلام معرفة صحيحة، والدليل مبني على طريقة الأدلة التعليمية، مُراعيًا جميع المسائل الفقهية والإشكالات العقدية والمصطلحات الشرعية التي تُعرض على المسلم الجديد منذ دخوله الإسلام، وعرضها بأسلوب سهل وميسر.
ترجمات أخرى 48
Përgatiti:
Muhamed esh Shihri
2020 - 1441 h
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
Çdo lavdërim i takon Allahut. Atë e lavdërojmë dhe Atij ndihmë e falje i kërkojmë. I mbështetemi Allahut të na mbrojë prej të këqijave të vetes sonë dhe punëve tona të liga. Atë që e udhëzon Allahu, nuk ka kush që e humb, ndërsa atë që Ai e humb, nuk ka kush që e udhëzon. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut. Gjithashtu dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij.
Kështu,
Allahu i ka nderuar bijtë e Ademit (njerëzit) dhe i ka ngritur lart mbi shumë prej atyre që i ka krijuar. Allahu i Lartësuar thotë: "Në të vërtetë, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit..." (El Isra, 70) Këtij umeti ia shtoi nderin, ngaqë ia dërgoi Profetin më me vlerë të Tij, Muhamedin ﷺ, ia zbriti Librin më të mirë të Tij, Kuranin e madhërishëm, si dhe qe i kënaqur për ta me fenë e Tij më madhështore që e ligjëroi, Islamin. Allahu i Lartësuar thotë: "Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin: (sepse) urdhëroni që të bëhen vepra të mira, i ndaloni të këqijat dhe besoni Allahun. Sikur ithtarët e Librit të besonin, do të ishte më mirë për ta; prej tyre ka besimtarë të vërtetë, por shumica e tyre janë larg udhës së drejtë." (Alu Imran, 110) Dhuntia më madhështore që Allahu i Lartësuar i dhuron njeriut është udhëzimi në Islam, qëndrueshmëria në të dhe jetësimi i vendimeve dhe ligjeve të tij. Në këtë libër modest për nga sasia, por me përmbajtje madhështore, i sapoudhëzuari mëson gjëra të cilat nuk i lejohet të mos i dijë në fillim të Islamit. Kjo, me metodë të përmbledhur, ku i sqarohen dispozitat e kësaj feje madhështore, saqë, nëse e kupton dhe e jetëson, kalon në kërkim të diturisë dhe kërkon ta shtojë atë, që t'i shtohen njohuritë për Zotin e Lartësuar, Profetin e Tij ﷺ dhe fenë islame, në mënyrë që ta adhurojë Allahun e Lartësuar me syçeltësi e dituri, t'i qetësohet zemra, t'i shtohet besimi duke qenë afër Allahut të Lartësuar me adhurim dhe duke e ndjekur Sunetin (Traditën) e Profetit të Tij ﷺ.
E lus Allahun e Lartësuar të japë begati në çdo fjalë të këtij libri, që me të t'i bëjë dobi Islamit dhe muslimanëve, ta bëjë të çiltër për të fituar kënaqësinë e Allahut të Madhërishëm dhe ta bëjë shpërblimin e tij për mbarë muslimanët, qofshin të gjallë, qofshin të vdekur.
Salavatet dhe selamet qofshin për Muhamedin, familjen dhe të gjithë shokët e tij!
Muhamed ibn Shejbe esh Shihri
2.11.1441 hixhri
Allahu i Lartësuar thotë: "O njerëz! Adhuroni Zotin Tuaj, i Cili ju ka krijuar ju dhe ata që ishin para jush, që të mund të ruheni (nga të këqijat)." (El Bekare, 21)
Allahu i Lartësuar thotë: "Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër (të denjë për adhurim)." (El Hashër, 22)
Allahu i Lartësuar thotë: "Nuk ka të ngjashëm me Të. Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi." (Shura, 11)
Allahu është Zoti im dhe Zoti i çdo gjëje, Sunduesi, Krijuesi, Gjithëfurnizuesi dhe Sistemuesi i çdo gjëje.
Ai është i Vetmi që është i denjë për t'u adhuruar; nuk ka zot e as hyjni që meriton adhurimin përveç Tij.
Ai posedon emrat më të bukur dhe cilësitë më të larta, të cilat Vetë Ai ia pohoi Vetvetes dhe Profeti i Tij ﷺ ia pohoi Atij. Ata janë kulmorë në përsosuri dhe bukuri. Nuk ka të ngjashëm me Të. Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi.
Ndër emrat e Tij të bukur theksojmë:
Furnizuesi, i Gjithëmëshirshmi, i Gjithëfuqishmi, Sunduesi, Gjithëdëgjuesi, i Dëliri, Gjithëshikuesi, i Gjithëmjaftueshmi, Krijuesi, i Buti, i Mjaftueshmi, Falësi i Madh.
Furnizuesi (ar. er Razzak): është Ai që e ka marrë përsipër furnizimin e robërve, me anë të të cilit sigurohet mbarëvajtja e zemrave dhe trupave të tyre.
I Gjithëmëshirshmi (ar. er Rahman): Ai që ka mëshirë të gjerë e madhështore, e cila ka përfshirë çdo gjë.
I Gjithëfuqishmi (ar. el Kadir): Ai që ka fuqi të plotë, të Cilit nuk mund t'i ndodhë asnjë pafuqi e lodhje.
Sunduesi (ar. el Melik): është Ai që cilësohet me cilësi të madhështisë, mposhtjes e sistemimit; Sunduesi i të gjitha gjërave dhe Ai që i drejton ato.
Gjithëdëgjuesi (ar. es Semi): është Ai që i percepton të gjitha gjërat që dëgjohen, qofshin të fshehta, qofshin të hapura.
I Dëliri (ar. es Selam): është Ai që është i plotë nga çdo mangësi, e metë ose cen.
Gjithëshikuesi (ar. el Besir): është Ai, shikimi i të Cilit ka përfshirë çdo gjë, qoftë e imët, qoftë e vogël. Ai i vëzhgon të gjitha gjërat, i njeh mirë ato dhe di hollësisht brendësinë e tyre.
I Gjithëmjaftueshmi (ar. el Vekil): është Ai që kujdeset për furnizimet e krijesave të Tij, Ai që kujdeset për gjëra që atyre u sjellin dobi, Ai i Cili i mori përsipër miqtë e Tij të dashur, ua lehtësoi dhe u mjaftoi për çështjet e tyre.
Krijuesi (ar. el Halik): është Ai që i solli në ekzistencë dhe i shpiku gjërat pa asnjë mostër paraprake.
I Buti (ar. el Latif): është Ai që i nderon e i mëshiron robërit e Tij dhe ua jep atë që e kërkojnë.
Mjaftuesi (ar. el Kafi): është Ai që u mjafton robërve të Tij për çdo gjë që ata kanë nevojë, si dhe është Ai që nuk ka nevojë për askënd e është i Vetëmjaftueshëm ndaj të tjerëve përveç Tij.
Falësi i Madh: (ar. el Gafurr): është Ai që i mbron robërit e Tij nga e keqja e mëkateve të tyre dhe nuk i ndëshkon për to.
Muslimani mediton rreth krijimit të mrekullueshëm të Allahut dhe lehtësimit që Ai ua ka bërë gjërave, bie fjala, kujdesin që kanë krijesat, sado që janë të vogla, duke u dhënë ushqim dhe duke u përkujdesur për to derisa të bëhen të afta për veten. I Lartësuar qoftë Krijuesi dhe Dashamirësi i tyre! Prej butësisë së Allahut është se për to Ai ka përgatitur aso gjërash që u ndihmojnë dhe ua përmirësojnë gjendjen, përkundër dobësisë së tyre të plotë.
Allahu i Lartësuar thotë: "Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët." (Et Teube, 128)
Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët." (El Enbija, 107)
Muhamedi ﷺ është mëshira e dhuruar
Ai është Muhamed ibn Abdullahu ﷺ. Vula e profetëve dhe të dërguarve. Allahu e dërgoi atë me fenë islame te të gjithë njerëzit, që t'i përudhë drejt së mirës, ndërkohë më e madhja është teuhidi (monoteizmi), si dhe t'i ndalojë prej çdo të keqeje, ndërkohë më e e keqja është shirku (idhujtaria).
Është obligim bindja ndaj tij në atë që urdhëron, besimi në atë që paralajmëron, largimi nga ajo që qorton dhe të mos adhurohet Allahu ndryshe nga ajo që ai ligjëron.
Mesazhi i tij dhe gjithë profetëve para tij ishte thirrja që të adhurohet vetëm Allahu dhe të mos i shoqërohet Atij askush dhe asgjë në adhurim.
Prej virtyteve të Profetiti ﷺ janë:
çiltërsia, mëshira, butësia, trimëria, bujaria, morali i mirë, drejtësia, thjeshtësia dhe falja.
Allahu i Lartësuar thotë: "O njerëz! Me të vërtetë, juve ju ka ardhur një provë bindëse (Muhamedi) nga Zoti juaj dhe ju është zbritur një Dritë e dukshme (Kurani)." (En Nisa, 174)
Kurani i madhërishëm është fjala e Allahut të Lartësuar dhe nuk është i krijuar. Allahu ia zbriti Profetit të Tij ﷺ për t'i nxjerrë njerëzit nga errësirat në dritë dhe që t'i udhëzojë ata drejt rrugës së drejtë.
Ai që e lexon Kuranin arrin shpërblim madhështor, ndërsa ai që punon sipas udhëzimit të tij e ka ndjekur udhën e saktë.
Profeti ﷺ ka thënë: "Islami është ngritur mbi pesë shtylla: mbi dëshminë se nuk ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij, faljen e namazit, dhënien e zekatit, agjërimin e Ramazanit dhe kryerjen e haxhillëkut."
Shtyllat e Islamit janë adhurime që i ka obligim çdo musliman. Nuk është i saktë Islami i njeriut pa besuar se këto shtylla janë obligim dhe i kryen të gjitha. Kjo, se Islami është ndërtuar mbi to, prandaj janë quajtur shtylla të Islamit.
Këto shtylla janë:
Shtylla e parë: dëshmia se nuk ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij.
Allahu i Lartësuar thotë: "Dije se nuk ka të adhuruar të denjë përveç Allahut!" (Muhamed, 19)
Po ashtu, Allahu i Lartësuar thotë: "Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët." (Et Teube, 128)
Kuptimi i dëshmisë la ilahe il-lallah është: nuk ka të adhuruar të denjë përveç Allahut.
Kuptimi i dëshmisë se Muhamedi është i Dërguari i Allahut ngërthen në vete bindjen ndaj tij në atë që urdhëron, besimin në atë që lajmëron, largimin nga ajo që qorton dhe të mos adhurohet Allahu ndryshe nga ajo që ai ligjëron.
Shtylla e dytë: falja e namazit
Allahu i Lartësuar thotë: "Faleni namazin!" (El Bekare, 110)
Falja e namazit bëhet duket e kryer në atë atë formë që e ka ligjëruar Allahu i Lartësuar dhe që na ka mësuar Profeti i Tij, Muhamedi ﷺ.
Shtylla e tretë: dhënia e zekatit
Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe jepeni zekatin!" (El Bekare, 110)
Allahu i Lartësuar e obligoi zekatin si provim për besimin e sinqertë të muslimanit, për ta falënderuar Atë për begatinë e pasurisë që ia ka dhënë dhe për t'i ndihmuar të varfrit dhe nevojtarët.
Dhënia e zekatit u jepet atyre që e meritojnë.
Zekati është obligim të jepet prej asaj pasurie që e ka arritur sasinë e caktuar. Ai u jepet tetë kategorive që Allahu i ka përmendur në Kuranin e madhërishëm, ku hyjnë edhe të varfrit dhe nevojtarët.
Kur muslimani e jep zekatin, cilësohet me mëshirë dhe butësi, e pastron moralin dhe pasurinë, i kënaq shpirtrat e të varfërve dhe nevojtarëve, i forcon lidhjet e dashurisë dhe vëllazërisë ndërmjet individëve të shoqërisë së muslimanëve. Së këndejmi, muslimani i mirë e jep atë me ëndje, duke qenë i lumtur që po e kryen, sepse me dhënien e zekatit do të fusë lumturinë te njerëzit e tjerë.
Sasia e zekatit të pasurisë është 2.5 përqind nga ajo pasuri e deponuar nga ari, argjendi, kartëmonedhat dhe artikujt tregtarë që janë për shitblerje, me qëllim përfitimi. Pra, (zekati jepet) kur vlera e tyre arrin sasinë e caktuar dhe kalon një vit i plotë (hënor).
Sikundërqë është obligim zekati për atë që posedon një numër të caktuar bagëtish (deveve, lopëve dhe deleve), nëse hanë nga kullotat e tokës në pjesën më të madhe vitit, pa i ushqyer pronari i tyre,
po ashtu është obligim të jepet zekat për gjërat që dalin nga toka, si: drithërat, frutat, xehet dhe thesaret, nëse e arrijnë sasinë e caktuar.
Shtylla e katërt: agjërimi i muajit Ramazan
Allahu i Lartësuar thotë: "O besimtarë! Agjërimi është bërë detyrë për ju siç ishte detyrë edhe për ata që ishin para jush, që të bëheni të devotshëm." (El Bekare, 183)
Ramazani është muaji i nëntë i vitit sipas kalendarit hixhrik. Ai është muaj i respektuar te muslimanët dhe gëzon pozitë të veçantë kundrejt muajve të tjerë të vitit. Agjërimi i tërë muajit në fjalë është një prej pesë shtyllave të Islamit.
Agjërimi i Ramazanit nënkupton adhurimin e Allahut të Lartësuar duke u privuar nga ushqimi, pija, marrëdhëniet intime dhe gjithë prishësit e agjërimit, nga lindja e agimit deri në lindjen e diellit, përgjatë ditëve të muajit të bekuar Ramazan.
Shtylla e pestë: haxhillëku në Shtëpinë e Shenjtë të Allahut
Allahu i Lartësuar thotë: "... dhe vizita (për haxhillëk) e kësaj Shtëpie (e cila është detyrë) për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën." (Alu Imran, 97)
Haxhillëku është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi drejt tij. Ai (është obligim) një herë gjatë jetës. Përkufizimi i tij është: synimi i Shtëpisë së Shenjtë (Qabesë) dhe vendeve të shenjta në Mekën Fisnike për kryerjen e adhurimeve specifike në një kohë të caktuar. Profeti ﷺ e kreu haxhillëkun, e para tij edhe profetët e tjerë. Allahu e urdhëroi Ibrahimin (alejhi selam) t'i thërrasë njerëzit për haxhillëk, siç na njoftoi për një gjë të tillë Allahu i Lartësuar në Kuranin e madhërishëm, kur thotë: "Thirri njerëzit për haxhillëk: ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta." (El Haxh, 27)
Profeti ﷺ është pyetur rreth imanit, e në atë rast ka thënë: "Imani është të besosh në Allahun, melekët, librat, të dërguarit e Tij, Ditën e Fundit dhe të besosh në kaderin (paracaktimin), qoftë i mirë, qoftë i keq."
Bazat e imanit janë adhurimet e zemrës, të cilat i ka obligim çdo musliman. Islami i njeriut nuk është i saktë pa besuar në to, prandaj janë quajtur bazat e imanit. Dallimi ndërmjet bazave të imanit dhe shtyllave të Islamit është se shtyllat e Islamit janë vepra të dukshme, të cilat njeriu i kryen me gjymtyrët e tij, si: të shqiptuarit e dy dëshmive, namazi dhe zekati, ndërsa bazat e imanit janë vepra të zemrës, të cilat njeriu i kryen me zemrën e tij, si: besimi në Allahun, në librat dhe në të dërguarit e Tij.
Përkufizimi dhe kuptimi i imanit është: që zemra të besojë bindshëm Allahun, melekët, librat, të dërguarit e Tij, Ditën e Fundit dhe kaderin (paracaktimin), qoftë i mirë, qoftë i keq, pasimi i çdo gjëje me të cilën ka ardhur Profeti ﷺ dhe jetësimi i saj duke e shprehur me gjuhë, siç është fjala la ilahe il-lallah dhe leximi i Kuranit, tesbihu (thënia: subhanallah - i lartësuar është Allahu!), tehlili (thënia: la ilahe il-lallah - nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut) dhe falënderimi i Allahut.
Duke vepruar me gjymtyrë të jashtme, si: namazi, haxhillëku e agjërimi. Po ashtu, duke vepruar me gjymtyrë të brendshme, që janë të ndërlidhura me zemrën, si: dashuria ndaj Allahut, droja prej Tij, mbështetja tek Ai dhe sinqeriteti për Të.
Specialistët e kësaj fushe e përkufizojnë shkurtimisht kështu: imani është besimi me zemër, shprehja me gjuhë dhe veprimi me gjymtyrë, shtohet me adhurim dhe pakësohet me mëkatim.
Baza e parë: besimi në Allahun
Allahu i Lartësuar thotë: "Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata që besojnë Allahun." (En Nur, 62)
Besimi në Allahun nënkupton veçimin e Tij në zotërim (ar. rububije), adhurim (ar. uluhije) dhe në emrat e cilësitë e Tij. Ai ngërthen në vete:
besimin në ekzistimin e Allahut të Lartësuar.
besimin se Allahu i Lartësuar është i veçuar me zotërim, se Ai është Sunduesi i çdo gjëje, Krijuesi, Furnizuesi dhe Sistemuesi.
Besimi se Allahu i Lartësuar është i veçuar me adhurim dhe se Ai është meritori që t'i kushtohet adhurimi, është i Vetëm dhe nuk ka ortak në asgjë prej tyre, si: namazi, lutja, zotimi, therja, kërkimi i ndihmës, kërkimi i mbrojtjes dhe të gjitha adhurimet e tjera.
Besimi se Allahu i Lartësuar është i veçuar me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta, të cilat ia pohoi Vetes ose ia pohoi Profeti i Tij ﷺ, si dhe mohimi i atyre emrave dhe cilësive që ia mohoi Vetes ose ia mohoi Atij Profeti i Tij ﷺ. Gjithashtu besimi se emrat dhe cilësitë e Tij janë kulmore në përsosuri e bukuri dhe se askush nuk i përngjan Atij dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi.
Baza e dytë: besimi në melekët
Allahu i Lartësuar thotë: "Lavdërimi qoftë për Allahun, krijuesin e qiejve dhe Tokës, i Cili i ka bërë melekët të dërguar me nga dy, tre dhe katër krahë. Ai shton në krijim çfarë të dojë. Allahu, me të vërtetë, është i pushtetshëm për çdo gjë." (Fatir, 1)
Besojmë se melekët janë botë e fshehtë dhe se ata janë robër të Allahut që i krijoi prej drite dhe i bëri të atillë që i binden dhe i përgjërohen Atij.
Ata janë krijesa madhështore, që fuqinë e numrin e tyre nuk mund ta dijë askush pos Allahut të Lartësuar. Për secilin nga ata ka pëshkrime, emra dhe detyra me të cilat i ka veçuar Allahu. Prej tyre është Xhibrili (alejhi selam), i ngarkuari që shpalljen hyjnore prej Allahut të Lartësuar t'ua dërgojë të dërguarve të Tij.
Baza e tretë: Besimi në librat
Allahu i Lartësuar thotë: "Thoni: "Ne besojmë në Allahun, në atë që na është shpallur neve (Kuranin), në atë që i është shpallur Ibrahimit, Ismailit, Is'hakut, Jakubit dhe Esbatëve (bijve të Jakubit), në atë që i është dhënë Musait e Isait dhe në atë që u është dhënë profetëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë kurrfarë dallimi midis tyre dhe vetëm Allahut i përulemi." (El Bekare, 136)
Besimi i palëkundshëm se gjithë librat qiellorë janë fjalë të Allahut
dhe se ata kanë të zbritur prej Allahut të Lartmadhërishëm te të dërguarit e Tij, për te robërit e Vet, me të vërtetën e qartë (dhe nuk janë të krijuar).
Me dërgimin që Allahu i Lartësuar ia bëri Profetit të Tij ﷺ te të gjithë njerëzit, me sheriatin (legjislacionin) e tij i shfuqizoi të gjitha legjislacionet e kaluara dhe e bëri Kuranin e madhërishëm përfshirës (të librave të mëparshëm) dhe shfuqizues të tyre. Allahu e mori përsipër ruajtjen e Kuranit të madhërishëm nga çdo ndyshim dhe shtrembërim. Allahu i Lartësuar thotë: "Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë." (El Hixhr, 9) Kjo, se Kurani është libri i fundit i Allahut te njerëzit dhe Profeti i Tij, Muhamedi ﷺ, është i dërguari i fundit, si dhe feja islame është feja me të cilën është i kënaqur Allahu për njerëzit deri në Çastin (e Kiametit). Allahu i Lartësuar thotë: "Feja e vërtetë tek Allahu është vetëm Islami." (Alu Imran, 19)
Librat qiellorë të cilët i ka përmendur Allahu i Lartësuar në Librin e Tij janë:
Kurani i madhërishëm, të cilin Allahu ia zbriti profetit Muhamed ﷺ.
Teurati, të cilin Allahu ia zbriti profetit Musa (alejhi selam).
Ungjilli, të cilin Allahu ia zbriti profetit Isa (alejhi selam).
Zeburi, të cilin Allahu ia zbriti profetit Davud (alejhi selam).
Fletushkat e Ibrahimit, të cilat ia zbriti profetit Ibrahim (alejhi selem).
Baza e katërt:
Allahu i Lartësuar thotë: "Çdo populli Ne i çuam një të dërguar (që u thoshte): "Adhurojeni Allahun dhe shmangiuni idhujve (tagutit)!" (En Nahl, 36)
Besimi i palëkundshëm se Allahu i Lartësuar dërgoi në çdo popull të dërguar që i ftonte ata në adhurimin e Allahut, Një dhe të Pashoq, si dhe mohimi i çdo gjëje që adhurohet përveç Allahut të Lartësuar.
Të gjithë profetët ishin burra, robër të Allahut. Ata ishin fjalëdrejtë dhe të besueshëm, të devotshëm dhe besnikë, të udhëzuar dhe udhëzues. Allahu i fuqizoi me mrekulli që tregojnë se ishin të sinqertë dhe se e kumtuan gjithë atë që Allahu ua dërgoi, si dhe gjithë ata ishin në të vërtetën dhe udhëzimin e qartë.
Thirrja e tyre ishte unike, prej të parit deri tek i fundit sa i përket themelit të fesë, që është teuhidi i Allahut të Lartmadhërishëm, duke ia kushtuar adhurimin vetëm Atij dhe duke mos i shoqëruar askënd dhe asgjë Atij.
Baza e pestë: besimi në Ditën e Fundit
Allahu i Lartësuar thotë: "Allahu! Nuk ka zot tjetër (të denjë për adhurim) përveç Tij. Ai do t'ju mbledhë në Ditën e Kiametit, për të cilën nuk ka dyshim aspak! E kush është në fjalë më i vërtetë se Allahu?" (En Nisa, 87)
Besimi i palëkundshëm për çdo gjë që ndërlidhet me Ditën e Fundit, nga gjërat që na ka treguar Zoti ynë i Lartmadhërishëm në Librin e Tij Fisnik ose na ka folur rreth saj Profeti ynë ﷺ, bie fjala, vdekja e njeriut, ringjallja, shfaqja e veprave, ndërmjetësimi, peshorja, llogaridhënia, Xheneti, Zjarri dhe gjëra të tjera që ndërlidhen me Ditën e Fundit.
Baza e gjashtë: Besimi në kaderin (paracaktimin), qoftë i mirë, qoftë i keq
Allahu i Lartësuar thotë: "Vërtet, Ne çdo gjë e kemi krijuar me masë të paracaktuar." (El Kamer, 49)
Besimi se çdo gjë që u ndodh krijesave në këtë botë është me dijen e Allahut, kaderin dhe sistemimin e Tij, qoftë i dëlirë dhe i lartësuar Allahu i Vetëm dhe i Pashoq! Këto kadere janë të shkruara para krijimit të njeriut dhe se njeriu ka vullnet e dëshirë, ku ai vetë në realitet i bën veprimet e tij, por e gjithë kjo nuk del jashtë dijes, vullnetit dhe dëshirës së Allahut.
Besimi në kaderin (paracaktimin) ka katër kategori, të cilat janë:
1. Besimi në dijen gjithëpërfshirëse të Allahut.
2. Besimi se Allahu shkroi çdo gjë që do të ndodhë deri në Ditën e Kiametit.
3, Besimi në dëshirën realizuese të Allahut dhe fuqinë e Tij të plotë: ajo që dëshiron, ndodh, e, ajo që nuk dëshiron, nuk ndodh.
4. Besimi se Allahu është Krijuesi i çdo gjëje dhe se Ai nuk ka ortak në krijimin e Tij.
Allahu i Lartësuar thotë: "Pa dyshim, Allahu i do ata që pendohen fort (për gjynahet) dhe ata që pastrohen." (El Bekare, 222)
Profeti ﷺ ka thënë: "Ai që merr abdes si abdesi im..."
Prej pozitës madhështore të namazit është se Allahu e ligjëroi para tij pastërtinë dhe e bëri kusht që të saktësohet namazi. Pastërtia është çelësi i namazit. Ai që e ndien vlerën e saj, zemra do t'i përmallohet për faljen e namazit. Profeti ﷺ ka thënë: "Pastërtia është gjysma e besimit... Namazi është dritë."
Po ashtu Profeti ﷺ ka thënë: "Atij që merr abdes dhe e përsos atë, mëkatet do t'i dalin prej trupit të tij."
Robi del para Zotit të vet duke qenë me pastërti konkrete, përkatësisht me abdes, me pastërti kuptimore, duke e kryer këtë adhurim për hir të Allahut të Lartësuar, duke e ndjekur udhëzimin e Profetit ﷺ.
Abdesi është obligim për:
1. Namazin në mënyrë të përgjithshme, qoftë i detyrueshëm, qoftë vullnetar.
2. Rrotullimin (ar. tavafi) rreth Qabesë.
3. Prekjen e mus'hafit (Kuranit)
Marr abdes dhe e laj tërë trupin (ar. gusël) me ujë të pastër:
ujë i pastër është çdo ujë që zbret prej qiellit ose ndonjë burim që del prej tokës dhe ka mbetur në origjinën e krijimit të tij pa ndryshuar asnjë prej tri vetive të tij, të cilat janë: ngjyra, shija dhe era, me diç që heq pastërtinë e ujit.
Po e mësoj abdesin
Hapi i parë: nijeti (qëllimi). Vendi i tij është zemra. Nijeti nënkupton vendosmërinë e zemrës për të bërë një adhurim për t'u afruar me Allahun e Lartësuar.
Hapi i dytë: larja e e duarve.
Hapi i tretë: medmeda.
Medmeda nënkupton futjen e ujit në gojë, që të shpëlahet dhe të nxirret pastaj uji jashtë.
Hapi i katërt: istinshaku.
Istinshaku nënkupton tërheqjen e ujit me frymëmarrje deri në pjesën me të lartë të hundës.
Pastaj istinthari, që nënkupton nxjerrjen e qurrave e lëngjeve të tjera duke fryrë hundët.
Hapi i pestë: larja e fytyrës.
Përkufizimi i fytyrës:
Fytyrë quhet ajo me anë të së cilës arrihet përballja (ar. el muvaxhehe).
Përkufizimi i fytyrës horizontalisht është prej veshit deri te veshi tjetër.
Përkufizimi i fytyrës vertikalisht është ndërmjet vendit ku dalin flokët e kokës zakonisht deri në fund të pjesës së poshtme të nofullës.
Larja e fytyrës përfshin çdo lloj qimeje, përfshirë edhe të hollat, po ashtu bardhësinë dhe tragusin.
Bardhësia është lëkura ndërmjet tragusit dhe laprës së veshit.
Idhari është qimja në ashtin e butë...
Po ashtu larja e fytyrës përfshin çdo gjë të dukshme, prej qimes së dendur të mjekrës bashkë me qimet që rrjedhin prej tyre.
Hapi i gjashtë: larja e krahëve, duke filluar nga majat e gishtërinjve deri në bërryla.
Larja e detyruar e duarve përfshin edhe larjen e bërrylave.
Hapi i shtatë: fërkimi (ar. el mes'h) i kokës dhe veshëve me duar, një herë.
Fillon nga pjesa e përparme e kokës deri te qafa dhe sërish i kthen aty prej nga fillon.
I fut gishtërinjtë tregues në veshë.
Me gishtin e madh fërkon pjesën e jashtme të veshëve dhe në këtë mënyrë fshihet pjesa e jashtme dhe e brendshme e veshit.
Hapi i tetë: larja e këmbëve prej majave të gishtërinjve të këmbës deri në thembër. Dy thembrat hyjnë te larja e obliguar e këmbëve.
Thembrat janë dy nyjet e fryra që janë poshtë kërcirit.
Abdesin e prishin këto gjëra:
1. Çdo gjë që del përmes dy kanaleve (të nevojës), si: urina, jashtëqitja, gazrat, sperma (ar. el menijju) dhe spermatoreja (ar. el medhju).
2. Humbja e mendjes me gjumë të thellë, alivanosje, dehje ose çmenduri.
3. Çdo gjë që e bën të obliguar guslin (larjen e tërësishme), si: xhunubllëku, menstruacionet dhe lehonia.
Kur njeriu ta kryejë nevojën, është obligim ta largojë papastërtinë, qoftë me ujë të pastër, - që është më mira, - qoftë me diçka tjetër me të cilën hiqet papastërtia, si: gurët, fletët, lecka e të ngjashme, por është obligim të bëhet me tri fshirje e më shumë që pastrojnë dhe me diçka që është i pastër e i lejuar.
Në rast të mbathjes së mesteve ose çorapeve mund t'u jepet atyre mes'h (fërkimi me dorë të lagur), pa pasur nevojë të lahen këmbët, me këto kushte:
1. Të vishen pas një pastrimi të plotë; nga hadethi i vogël (ndyrësitë jolëndore) dhe nga ai i madh, në të cilin janë larë këmbët.
2. Të jenë të pastra e jo të përlyera.
3. Mes'hu të jetë në kohën e caktuar për të.
4. Të jetë hallall. Pra, të mos jenë të vjedhura ose të uzurpuara.
Meste janë mbathjet e këmbës, të përbëra prej lëkure të hollë e të ngjashme. Të ngjashme me to janë edhe këpucët që i mbulojnë këmbët.
Çorapet janë ato që njeriu i mbath në këmbë, të përbëra prej pambuku e të ngjashëm.
Urtësia e ligjësimit të dhënies mes'h mbi meste
Urtësia e dhënies mes'h mbi meste është për t'ua lehtësuar dhe thjeshtësuar muslimanëve, të cilëve u vjen rëndë t'i zbathin mestet ose çorapet për t'i larë këmbët, posaçërisht në kohën e dimrit, acarit dhe gjatë udhëtimit.
Kohëzgjatja e mes'hut
Vendasi: një ditë e një natë (24 orë).
Udhëtari: tri ditë e tri net (72 orë).
Llogaritja e kohës së mes'hut nis prej fillimit të dhënies mes'h mbi meste ose çorape pas prishjes së abdesit.
Mënyra e dhënies mes'h mbi meste ose çorape:
1. Lagen të dy duart.
2. Përshkohet me dorë shpina e këmbës (prej majave të gishtërinjve deri në fillim të kërcirit).
3. Këmbës së djathtë i jepet mes'h me dorën e djathtë, ndërsa këmbës së majtë i jepet me dorën e majtë.
Gjërat që e prishin mes'hun:
1. Çdo gjë që e bën të domosdoshëm guslin.
2. Mbarimi i kohëzgjatjes së mes'hut.
Nëse ndërmjet burrit dhe gruas ka pasur marrëdhënie intime ose u ka dalë sperma të dyve me epsh, qoftë në gjendje zgjimi, qoftë gjumi, atëherë është obligim për ta gusli, që të mund ta kryejnë namazin ose adhurimet për të cilat duhet pastërtia. Po ashtu, kur gruaja të pastrohet nga të përmuajshmet dhe lehonia, e ka obligim guslin para faljes së namazit ose kryerjes së adhurimeve për të cilat duhet pastërtia.
Mënyra e guslit është si vijon:
muslimani përshkon tërë trupin me ujë, në çfarëdo mënyre qoftë. Këtu hyjnë edhe futja e ujit në gojë e në hundë. Nëse e përfshin trupin e tij me ujë, hadethi i madh (ndyrësia jolëndore) largohet dhe pastërinë e ka të plotë.
Ai që është xhunub (i papastër), e ka të ndaluar t'i kryejë këto veprime derisa të pastrohet:
1. Namazin.
2. Rrotullimin (ar. tavaf) rreth Qabesë.
3. Qëndrimin në xhami. I lejohet vetëm të kalojë në xhami, pa qëndruar.
4. Prekjen e mus'hafit (Kuranit).
5. Leximin e Kuranit.
Nëse muslimani nuk gjen ujë me të cilin pastrohet ose nuk ka mundësi ta përdorë ujin për shkak të ndonjë sëmundjeje e të ngjashme dhe ka frikë se i ikën koha e namazit, atëherë merr tejemum me dhé.
Mënyra e tejemumit është t'i mëshojë një herë të vetme me duart e tij (tokës e të ngjashme) dhe më pas me to e fërkon fytyrën dhe dy duart (shuplakat). Është kusht që dheu të jetë i pastër.
Tejemumin e prishin këto gjëra:
1. Tejemumi prishet me po ato gjëra që prishet abdesi.
2. Nëse gjendet ujii para fillimit të adhurimit për të cilin është marrë tejemum.
Allahu ia bëri obligim muslimanit pesë namaze gjatë ditës dhe natës, të cilat janë: sabahu, dreka, ikindia, akshami dhe jacia.
Po përgatitem për namaz
Kur të hyjë koha e namazit, muslimani pastrohet prej hadethit të vogël (ndyrësisë jolëndore) dhe hadethit të madh, nëse është në gjendje të hadethit të madh.
Hadethi i madh është ai që muslimanit ia obligon guslin.
Hadethi i vogël është ai që muslimanit ia obligon abdesin.
Muslimani falet me rroba të pastra, në një vend të pastër nga papastërtitë, duke i mbuluar pjesët e tij të turpshme.
Muslimani zbukurohet me rroba të përshtatshme në kohën e namazit, me të cilat e mbulon trupin. Burrit nuk i lejohet që gjatë namazit të zbulojë diçka mes kërthizës dhe kofshës së këmbës.
Është obligim për gruan ta mbulojë tërë trupin gjatë namazit, përveç fytyrës dhe duarve (shuplakave).
Muslimani gjatë namazit nuk thotë diç jashtë fjalëve të posaçme të namazit dhe hesht kur të lexojë imami. Gjatë namazit nuk e kthen kokën andej-këndej. Nëse nuk ka mundësi t'i mësojë fjalët e posaçme për namaz (sure e lutje), atëherë e përmend Allahun, e lartëson Atë, derisa të mbarojë namazi. Ai e ka obligim të shpejtojë për ta mësuar namazin dhe fjalët (suret e lutjet) që thuhen në të.
Po e mësoj namazin
Hapi i parë: nijeti (qëllimi) për namazin e detyrueshëm që dua ta kryej. Vendi i nijetit është zemra.
Pasi të marr abdes, drejtohem nga kibla dhe falem në këmbë, nëse kam mundësi për një gjë të tillë.
Hapi i dytë: i ngre duart paralel me supet dhe them: "Allahu ekber (Allahu është më i Madhi)", duke e bërë nijetin për të hyrë në namaz.
Hapi i tretë: e lexoj lutjen hyrëse ashtu siç është transmetuar. Prej këtyre lutjeve e them: "Subḥãnekall-llãhumme we bihamdike we tebãrakesmuke, we te'ãlã xhedduke, we lã ilãhe ġajruke - O Allah! Ti je pa të meta. Ty të bëj lavdi! Emri Yt është i bekuar, Madhëria Jote është e Lartësuar dhe askush pos Teje s'ka të drejtë të adhurohet!"
Hapi i katërt: i mbështetem Allahut të më mbrojë nga shejtani i mallkuar dhe them: "E'ũdhu bil-lãhi minesh-shejṭãnirr-rraxhĩm - I mbështetem Allahut të më mbrojë nga shejtani i mallkuar."
Hapi i pestë: e lexoj suren el Fatiha në çdo rekat, e cila bën: "Bismil-lãhirr-rraḥmãnirr-rraḥĩm - Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit! (1) El Hamdu lil-lahi rrabil alemin - Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve, (2) Er Rahmanirr-Rrahim - të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit. (3) Maliki jeumid-din - Sunduesit të Ditës së Gjykimit. (4) Ijjake nabu ue ijjake nestein - Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë. (5) Ihdines-siratal mustekim - Udhëzona në rrugën e drejtë! (6) Siratal-ledhine enamte alejhim, gajril magdubi alejhim ueled-dalin - Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur!" (7)
Pas sures el Fatiha lexoj atë që më lehtësohet prej Kuranit, vetëm në rekatin e parë dhe të dytë të çdo namazi. Ky nuk është obligim, por një veprim i tillë ka shpërblim madhështor.
Hapi i gjashtë: them: "Allahu ekber (Allahu është më i Madhi)" e më pas bie në ruku (përkulje) derisa shpina të jetë drejt dhe duart e mia t'i kem mbi gjunjë me gishtërinjtë hapur. Më pas në ruku them: "Subhane rabbijel adhim - I Patëmeta është Zoti im Madhështor!"
Hapi i shtatë: ngrihem prej rukusë duke thënë: "Semiall-llahu limen hamideh - Allahu e dëgjon atë që e lavdëron" duke i ngritur duart paralel me supet. Kur ta drejtoj trupin, them: "Rabbena ue lekel hamd - Zoti ynë, Ty të takon lavdërimi."
Hapi i tetë: them: "Allahu ekber (Allahu është më i Madhi)" dhe bie në sexhde me duart, gjunjët, këmbët, ballin e hundën dhe them në sexhde: "Subhane rabbijel ala - I Patëmeta ëshë Zoti im më i Larti."
Hapi i nëntë: them: "Allahu ekber (Allahu është më i madhi)" dhe ngrihem prej sexhdes derisa të drejtohem dhe shpina të jetë drejt. I ulur mbi këmbën e majtë, me këmbë të djathtë të ngritur, them: "Rabbig firli - O Zoti im, falmë!"
Hapi i dhjetë: them: "Allahu ekber (Allahu është më i Madhi)" dhe bëj një sexhde tjetër sikurse sexhdeja e parë.
Hapi i njëmbëdhjetë: ngrihem prej sexhdes duke thënë: "Allahu ekber - Allahu është më i Madhi" derisa të drejtohem duke qenë në këmbë, po ashtu në rekatet e mbetura të namazit veproj ashtu siç kam vepruar në rekatin e parë.
Pas rekatit të dytë të namazit të drekës, ikindisë, akshamit dhe jacisë, ulem për ta lexuar teshehudin e parë, që bën: "Et-teḥijjãtu lil-lãhi weṣ-ṣalewãtu, weṭ-ṭajjibãtu, es-selãmu 'alejke ejjuhen-nebijju we raḥmetull-llãhi we berakãtuhu, es-selãmu alejnã we 'alã 'ibãdil-lãhiṣ-ṣãliḥĩn, eshhedu en lã ilãhe il-lAll-llãh, we eshhedu enne Muḥammeden 'abduhu we rasũluhu - (Nderimet, madhështimet, lutjet dhe fjalët e dëlira i takojnë Allahut! Paqja qoftë me ty, o i Dërguar, e edhe mëshira dhe begatimet e vazhdueshme të Tij! Paqja qoftë me ne dhe me robërit e drejtë të Allahut! Dëshmoj se nuk meriton të adhurohet askush më të drejtë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij!)." Pastaj ngrihem për rekatin e dytë.
Pas rekatit të fundit të çdo namazi, ulem dhe e lexoj teshehudin e fundit, që bën: "Et-teḥijjãtu lil-lãhi weṣ-ṣalewãtu, weṭ-ṭajjibãtu, es-selãmu 'alejke ejjuhen-nebijju we raḥmetull-llãhi we berakãtuhu, es-selãmu alejnã we 'alã 'ibãdil-lãhiṣ-ṣãliḥĩn, eshhedu en lã ilãhe il-lAll-llãh, we eshhedu enne Muḥammeden 'abduhu we rasũluhu. All-llãhumme ṣal-li 'alã Muḥam-medin we 'alã ãli Muḥammedin kemã ṣal-lejte 'alã Ibrãhĩme we 'alã ãli Ibrãhĩme, inneke ḥamĩdun Mexhĩd. All-llãhumme bãrik 'alã Muḥammedin we 'alã ãli Muḥammedin, kemã bãrakte 'alã Ibrãhĩme we 'alã ãli Ibrãhĩme, inneke ḥamĩdun Mexhĩd - (Nderimet, madhështimet, lutjet dhe fjalët e dëlira i takojnë Allahut! Paqja qoftë me ty, o i Dërguar, e edhe mëshira dhe begatimet e vazhdueshme të Tij! Paqja qoftë me ne dhe me robërit e drejtë të Allahut! Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij!)"; "(O Allah, lavdëroje (te melekët e lartë) Muhamedin dhe familjen e tij, ashtu siç lavdërove Ibrahimin dhe familjen e tij, vërtet Ti je i Lavdishëm dhe i Madhëruar. O Allah, begatoje Muhamedin dhe familjen e tij, ashtu siç begatove Ibrahimin dhe familjen e tij, vërtet Ti je i Lavdishëm dhe i Madhëruar)."
Hapi i dymbëdhjetë: pas kësaj jap selam nga ana ime e djathtë dhe them: "Es Selamu alejkum ue rahmetull-llah (Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi ju!)" dhe jap selam nga ana ime e majtë e them: "Es Selamu alejkum ue rahmetull-llah (Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi ju!)" duke e bërë nijetin që të dal prej namazit. E më këtë veprim kryhet namazi.
Allahu i Lartësuar thotë: "O Profet, thuaju grave dhe vajzave të tua, si dhe grave të besimtarëve, që të lëshojnë mbulesën e tyre (të kokës) përreth trupit. Kjo është mënyra më e përshtatshme që ato të njihen e të mos ngacmohen nga të tjerët. Me të vërtetë, Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë." (El Ahzab, 59)
Allahu e obligoi mbulesën për muslimanen dhe mbulimin e pjesëve të turpshme të saj dhe gjithë trupin nga burrat e huaj për të. Ajo mbulohet me veshje të zakontë të vendit të saj. Ajo nuk duhet ta heqë hixhabin para ndokujt, përveçse para burrit dhe mahremëve të saj, të cilët janë ata me të cilët muslimania e ka të ndaluar të martohet përjetësisht. Të tillët janë: babai e lart (gjyshi, stërgjyshi), biri e poshtë (nipi, stërnipi), xhaxhallarët, dajallarët, biri i vëllait dhe biri i motrës, njerku, babai i burrit e lart (gjyshi, stërgjyshi i tij), djali i burrit e poshtë, vëllai prej qumështit, burri prej qumështit. Lidhja e qumështit e bën të ndaluar atë që e bën të ndaluar afërsia e gjakut.
Muslimania në veshjen e saj duhet t'u kushtojë rëndësi disa normave:
1. Ta mbulojë tërë trupin e saj.
2. Ajo që e vesh të mos jetë për zbukurim.
3. Të mos jetë e tejdukshme që shfaqet trupi i saj.
4. Të jetë e gjerë e jo e ngushtë që t'i përshkruhet diçka prej trupit të saj.
5. Të mos e ketë veshjen të parfumuar.
6. Të mos u përngjajë veshjeve të burrave.
7. Të mos u përngjajë veshjeve të jomuslimaneve në zakonet ose festat e tyre.
Disa cilësi të muslimanit
Allahu i Lartësuar thotë: "Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, fërgëllojnë dhe, kur u lexohen shpalljet e Tij, u forcohet besimi dhe vetëm te Zoti i tyre mbështeten." (El Enfal, 2)
E thotë të vërtetën kur flet e nuk gënjen.
Përmbush marrëveshjen dhe premtimin.
Gjatë zënkave nuk tregohet i padrejtë.
Amanetin e çon në vend.
E do për vëllanë e vet musliman atë që e do për vete.
Është bujar.
Njerëzve u bën mirë.
I mban lidhjet farefisnore.
Është i kënaqur me kaderin (paracaktimin) e Allahut, e falënderon Atë në gjendje mirëqenieje e bën durim në gjendje vështirësie.
Është i cilësuar me turp.
I mëshiron krijesat.
Zemra e tij është e shëndoshë nga smira dhe gjymtyrët e tij janë të shëndosha nga nëpërkëmbja e ndokujt.
I fal njerëzit.
Nuk merr kamatë e as e përdor atë.
Nuk bën kurvëri.
Nuk pi alkool.
I bën mirë fqinjit të tij.
Nuk bën padrejtësi e as tradhton.
Nuk vjedh e as mashtron.
Është i sjellshëm me prindërit, edhe nëse janë jomouslimanë. U bindet atyre në gjëra të mira.
Fëmijët i edukon në vlera, i urdhëron për t'i kryer obligimet fetare dhe i ndalon nga antivlerat e haramet.
Nuk u shëmbëllen veprimeve të jomuslimanëve në gjërat e posaçme të fesë së tyre ose zakoneve të cilat janë veçori dhe shenjë e dukshme e tyre.
Allahu i Lartësuar thotë: "Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira që ka bërë." (En Nahl, 97)
Gjëja më madhështore që e fut në zemrën e besimtarit gëzimin, kënaqësinë shpirtërore dhe lumturinë është lidhja e tij drejtpërdrejt me Zotin e vet, pa kurrfarë ndërmjetësuesi prej të gjallëve, të vdekurve e idhujve. Allahu i Lartësuar ka përmendur në Librin e tij të madhërishëm se Ai çdoherë është afër robërve të Tij: i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve të tyre, siç thotë i Lartësuari: "Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, u përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t'i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë." (El Bekare, 186) Allahu na urdhëroi t'i lutemi dhe e bëri këtë gjë prej adhurimeve më madhështore me të cilat afrohet muslimani me Zotin e tij. Allahu i Lartmadhërishëm thotë: "Zoti juaj ka thënë: "Lutmuni Mua, se do t'ju përgjigjem!" (Gafir, 60) Muslimani i mirë gjithmonë ka nevojë për Zotin e tij, gjithmonë i lutet Atij dhe afrohet tek Ai me adhurime e vepra të mira.
Allahu i Lartësuar na solli në këtë univers për një urtësi madhështore, e nuk na krijoi kot. Kjo urtësi është që ta adhurojmë vetëm Atë e të mos i shoqërojmë askënd dhe asgjë në adhurim. Ai për ne ligjëroi një fe hyjnore, universale, që i sistemon të gjitha çështjet e jetës sonë, qofshin personale, qofshin të përgjithshme. Nëpërmjet këtij ligji të drejtë islam, Allahu i Lartësuar i mbrojti objektivat e kësaj jete, të cilat janë: feja jonë, jeta, nderi, mendja dhe pasuria jonë. Andaj, ai që jeton duke i ndjekur këta urdhra fetarë dhe u largohet harameve, veçse i ka ruajtur këta objektiva dhe jeton i lumtur e i qetë në jetën e tij, pa kurrfarë dyshimi.
Lidhja e muslimanit me Zotin e tij është e thellë. Ajo sjell qetësi, rehati shpirtërore, ndjenja qetësie, sigurie e gëzimi. Besimtari e ndien shoqërimin e Zotit të Lartmadhërishëm (me të me dijen e Tij) dhe mbrojtjen e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: "Allahu është Mbrojtësi i atyre që besojnë. Ai i nxjerr ata nga errësira në dritë." (El Bekare, 257)
Kjo lidhje madhështore është një gjendje shpirtërore që shpie drejt kënaqësisë duke e adhuruar të Gjithëmëshirshmin dhe drejt mallit për t'u takuar me Të, ndërsa zemrën ia ngre drejt lartësisë së lumturisë dhe ndjesisë së ëmbëlsisë së imanit.
Kjo është një ëmbëlsi që nuk ka mundësi ta përshkruajë askush, pos atij që e ka shijuar duke i kryer adhurimet dhe duke u ndalur nga të këqijat. Në lidhje me këtë, Profeti ﷺ ka thënë: "Ëmbëlsinë e imanit e ka shijuar ai që është i kënaqur me Allahun për Zot, Islamin për fe dhe Muhamedin për profet."
Kur njeriu ta ndiejë çdoherë se e ka Krijuesin e tij përpara, si dhe e njeh Atë përmes emrave dhe cilësive të Tij të bukura, e adhuron sikur të ishte duke e parë, adhurimin ia kushton çiltërisht vetëm Atij dhe përmes adhurimit nuk synon askënd përveç Allahut të Lartmadhërishëm. I tilli do të bëjë jetë të këndshme e të lumtur në këtë botë dhe do të këtë përfundim të lumtur në botën tjetër.
Madje, edhe fatkeqësitë që e godasin besimtarin në këtë botë, nxehtësinë e tyre përvëluese e fik ngrohtësia e bindjes dhe kënaqja me kaderin (paracaktimin) e Allahut të Lartësuar dhe lavdërimi i Tij për çdo kader, qoftë i mirë, qoftë i keq, si dhe kënaqësia e plotë me të.
Ajo që duhet t'i kushtojë rëndësi muslimani, që t'i shtohet lumturia e qetësia, është përmendja e shpeshtë e Allahut të Lartësuar dhe leximi i Kuranit të madhërishëm. Allahu i Lartësuar thotë: "Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!" (Er Rad, 28) Sa herë që muslimani e shton përmendjen e Allahut dhe leximin e Kuranit, do t'i shtohet lidhja me Allahun e Lartësuar, shpirti do t'i dëliret dhe imani do t'i forcohet.
Po ashtu, muslimani duhet t'i mësojë çështjet e fesë së tij prej burimeve dhe referencave të shëndosha, që ta adhurojë Allahun e Lartësuar me syçeltësi. Profeti ﷺ ka thënë: "Kërkimi i diturisë është detyrë për çdo musliman." Muslimani duhet të jetë i dorëzuar dhe i nënshtruar ndaj urdhrave të Allahut të Lartësuar, i Cili e krijoi, pa marrë parasysh a e di urtësinë e atyre urdhrave apo nuk e di. Allahu i Lartësuar, në Librin e Tij të madhërishëm, thotë: "Nuk i takon asnjë besimtari ose besimtareje të vërtetë që, kur Allahu dhe i Dërguari i Tij vendosin për një çështje, ata të kenë të drejtë të zgjedhin në atë çështje të tyren. Kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai me siguri ka humbur." (El Ahzab, 36)
Salavatet dhe selamet qofshin për Muhamedin, familjen dhe të gjithë shokët e tij!
Mbaroi
Përmbajtja e tematikave
Numri
Tematika
Faqja
Kthehu te kopertina
Kthehu te përmbajtja e librit
Na e trego përvojën tënde me këtë libër
Vizito faqen tonë elektronike
Libër i përshtatur për telefon celular
Kliko për t'u zhvendosur te kjo temë
Kliko foton për t'u kthyer te kopertina
Fshij barkodin
Prezantim mësimor (powerpoint)
Produktet e projektit
Libër i botuar
Libër për telefon
Faqja elektronike
Prezantim në powerpoint
Versioni për celularë të mençur
Përmbledhje e dobishme për muslimanin e ri
Kurani i madhërishëm është Fjala e Zotit tim
Po i mësoj bazat e imanit (besimit)
Mes'hu (fërkimi) mbi meste dhe çorape
Gusli (larja e tërësishme e trupit)