×
جدبد!

تطبيق موسوعة بيان الإسلام

احصل عليه الآن!

الإسلام دين الجميع (ألباني)

إعداد: Muhamed Teufik

الوصف

رسالة مختصرة تبين محاسن دين الإسلام.

تنزيل الكتاب

 MESAZHI ISLAM - FE PËR TË GJITHË

MUHAMED TEWFIJK AHMED

Boton: Shoqata për predikimin Islam me qendër në Aleksandri – Egjipt.

Titulli i origjinalit: “Risaletul-Islam dijnu elxhemie”

Titulli në shqip: “ Mesazhi Islam fe e të gjithëve”

Përktheu nga arabishtja: Feim Gashi

Recensor: Miftar Ajdini prof.

Redaktor: Miftar Ajdini prof.

Korrektor: Halil Ibrahimi

Realizimi kompjuterik: Besmir Hoxha

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit

Falënderimi i takon Allahut, Krijuesit të universit, i cili çdo populli i dërgoi sheriat dhe udhëzim që me to të bëjnë sistemin e jetës së tyre, ndërsa salavatet më të përzemërta i takojnë zotëriut tonë dhe zotëriut të të gjithë pejgamberëve Muhamedit a.s. porta e vetme për të shijuar kënaqësitë që ka përgatitur Allahu xh.sh. në parajsën e pafund.

Të nderuar vëllezër dhe motra. Me të vërtetë njeriu ndihet i lumtur kur gjendet në shërbim të fesë së tij qoftë edhe me përkthimin e një broshure të vogël si kjo, e cila përmbledhë në vete mësimet më të rëndësishme të Islamit.

Allahu thotë: “Feja e pranueshme tek Allahu është Islami”. Këtë mund ta kuptojë çdo njeri i mençur. Besimi në një Zot është ai besim, ajo fe, të cilën e shpalli Zoti që nga ekzistimi i njerëzve në këtë botë. Çdo besim tjetër përkitazi me njësinë e Zotit është devijim i të së vërtetës së shpallur nga Zoti.

Që nga krijimi i qenies njerëzore e deri në ditët tona janë shfaqur qindra fe të lindura nga dëshirat jetësore të njerëzimit për të mbizotëruar mbi rruzullin tokësor, porse asnjëra prej saj nuk arriti të thërret në besimin e vetëm dhe të vërtetë, në atë besim që zgjodhi Allahu për njerëzimin.

Allahu thotë: “E kush kërkon fe tjetër përveq fesë Islame atij kurrsesi nuk i pranohet dhe ai në botën tjetër është nga të dëshpëruarit.”

Përkthyesi

 MESAZHI ISLAM - FE PËR TË GJITHË

MUHAMED TEWFIJK AHMED

- Të nderuar vëllezër dhe motra!

A e keni menduar më parë çështjen e fesë?

A keni vërejtur mospajtime të shumta në mendime rreth kësaj teme?

A keni vërejtur ndonjëherë armiqësi mes grupeve dhe njerëzve të ndryshëm?

Çdo person mendon se e ka gjetur fenë e vërtetë, madje edhe ai që për zot të tij e adhuron gurin dhe e shenjtëron atë.

Unë jam më se i sigurt se në mendjet tuaja kanë kaluar pyetje të tilla, e që ju kanë ndihmuar të bindeni se ekziston vetëm një fe e vërtetë për të gjithë, sepse Zoti është Një dhe nuk është i kënaqur të ketë shume fe, duke qenë se kjo fe është e kuptueshme për të gjithë njerëzit.

Çdo njeri duhet të ndiej në vetveten e tij, pa ndikim nga askush këto parime themelore:

- Besimi në një Zot të vetëm të adhuruar [sepse politeizmi i supozuar shkatërron universin]

- Përhapja e të mirës mes gjithë njerëzve.

- Besimi se Allahu ka dërguar të dërguarit e Tij për t’ia mësuar njerëzimit këto dy parime te shenjta.

Nëse meditojmë me kujdes këto parime do ta pyesim veten: a thua vallë me të vërtete ekziston një fe e tillë?

E vërteta është se kjo fe ekziston që nga krijimi i ekzistencës. Këtë fe monoteiste Allahu e zgjodhi për njerëzimin duke e dërguar nëpërmjet të dërguarve të Tij. Allahu xh.sh. thotë: “Feja e pranueshme tek Allahu është Islami” (Ali-imran 19). Gjithashtu thotë: ”E kush kërkon fe tjetër përveç fesë Islame, atij nuk i pranohet dhe ai në botën tjetër është nga të dëshpëruarit” (Ali Imran 85)

Atëherë mund të themi se feja është nga Allahu, porse disa njerëz gabimisht i emëruan me emra te pejgamberëve gjatë kohëve të ndryshme kur ishin dërguar ata. Emërime të tilla shkaktuan mospajtime dhe ekstremizëm mes shoqërive të ndryshme sa që kjo ndarje ka quar deri te harresa e të së vërtetës. Edhe Islamin e quajtën ‘muhamedanizëm’ sipas emrit te pejgamberit Muhamed a.s., ashtu siç u quajtën edhe fetë tjera me emrat e pejgamberëve të tyre, përkundër faktit se të gjithë thirrën në një Zot [Allahun].

E ndiej obligim që me pak fjalë të sjell realitetin e fesë së Vërtetë. Mirëpo, nëse pjesëtarët e besimeve të tjera vazhdojnë të mos e njohin Islamin dhe mësimet e tij, ky qëndrim i tyre kundër Islamit apriori do ti shmang dhe do t’ua pamundësoj kuptimin e esencës së kësaj feje dhe nuk do të arrijnë tek ndonjë përfundim i dobishëm.

ISLAMI

Fjala “Islam”do të thotë paqe mes njerëzve dhe nënshtrim i plotë ndaj vullnetit të Allahut xh.sh.. Gjithashtu do të thotë paqe mes individit dhe vetvetes së tij, mes tij dhe të tjerëve si dhe devotshmëri e plotë ndaj Allahut xh.sh.

- Të gjitha këto kuptime janë të përfshira në Kur’anin famëlartë nga i cili mëson individi që të bëjë mirë për të tjerët dhe që ta pastroj vetveten duke vepruar sipas asaj që është shpallur në Kur’an.

Muhamedi a.s.ishte i dërguari i fundit në Islam, por jo edhe i vetmi, sepse muslimanët besojnë në të gjithë pejgamberët e mëparshëm: në Ibrahimin a.s., Musaun a.s., Isaun a.s. etj etj.

Allahu xh.sh thotë: “Ne edhe ty [Muhamed] ta zbritëm librin [Kuranin] e vërtetë që është vërtetues i librave të mëparshëm dhe garantues i tyre. Gjyko pra mes tyre me atë që Allahu zbriti, e mos pëlqe epshet e tyre e të largohesh nga e vërteta që të erdhi. Për secilin prej jush, Ne caktuam ligj e program [të posaçëm në çështje të veprimit]. Sikur të donte Allahu do t’ju sprovonte në atë qe iu dha juve, andaj ju [besimtarë] përpiquni për punë të mira. Kthimi i të gjithë juve është te Allahu, e Ai do t’ju njoftojë me atë që kundërshtoheshi.” (Maideh 48)

IMANI-BESIMI

- Islami mëson muslimanët të besojnë në një Zot [ALLAHUN], në engjëjt, librat, pejgamberët, ringjalljen pas vdekjes dhe në ditën e Kijametit. Allahu xh.sh thotë: “Kush nuk i beson Allahut, engjëjve të Tij, librave të Tij, të dërguarve të Tij dhe botës tjetër, ai ka humbur tepër larg “ (En-nisae 136).

Muslimanët besojnë në dallimin mes së mirës dhe së keqes. Çdo gjë që ka krijuar Allahu është e mirë. Nëse e përdorë me qëllime ku është i kënaqur Allahu, ajo do të na shpie në lumturi, por nëse e keqpërdorë ajo do të shpie në të keqe dhe pendim. Allahu xh.sh thotë: “Kush bën mirë, ai e ka për vete, e kush bën keq, ai vepron kundër vetes, e Zoti yt nuk bën padrejtë ndaj robërve” (Fusilet 46)

ALLAHU XH.SH.-

- Të gjithë muslimanët i luten një Zoti{Allahut}. Ai është i Gjithëfuqishmi, i Gjithëdijshmi, i Drejti, Ndihmëtar i tërë njerëzimit, i Cili as s’ka lindur kë dhe as nuk është i lindur. Ai është drita e qiejve dhe e tokës. Ai është Mëshiruesi, Mëshirbërësi. Është i pari pa fillim dhe i fundit pa mbarim. Ai është i përjetshmi. Ndërkaq sa i përket përdorimit nga Isai a.s. të shprehjes “At’’për Zotin e tij, kjo është shenjë e mëshirës dhe bujarisë se Allahut.

PARIMET E ISLAMIT-

Muslimanët janë të obliguar të veprojnë sipas parimeve vijuese :

1] Besimi i paluhatshëm se nuk ka hyjni tjetër pos Allahut.

2] Namazi [për pastrimin e shpirtit dhe trupit].

3] Agjërimi-shërim i shpirtit dhe trupit, edukues i ndjenjave në raport me njerëzit, kafshët, bimët; mësues i durimit dhe forcues i vullnetit.

4] Dhënia e zekatit: E drejtë e të varfërve nga pasuria e të pasurve 2.5% nga kapitali, çdo vit hixhrij, nëse ajo pasuri arrin nisabin, që është e barabarte me vlerën e 85 gr. ari. Edhe pse nga i pasuri nuk kërkohet më shumë se kjo vlerë, ai nuk duhet të mjaftohet me kaq, sepse prej obligimeve më të shenjta të muslimanit është ndihma ndaj të varfrit dhe sjellja e mirë ndaj tij.

5] Haxhi në Mekë: Çdo musliman e ka obligim vizitën e Qabes një herë në jetë nëse ka mundësi. Muslimani atje nuk adhuron ndonjë gur apo pejgamber, por ai vetëm mediton në kuptimet e shenjta të Islamit, e falënderon Allahun, dhe kështu e kryen detyrën e Haxhit.

- Haxhi u ofron mundësinë [muslimanëve] të ardhur nga vise të ndryshme të botës që të njihen mes veti dhe të forcojnë lidhjet [dashurinë] reciproke mes tyre.

NUK KA DHUNË NË FE

Kur’ani na mëson se nuk ka dhunë në fe, duke u shprehur kundër çdo forme të dhunës. Të gjitha luftërat në Islam janë zhvilluar për të mbrojtur fenë dhe besimin. Edhe pse në disa kohëra, disa udhëheqës të vendeve Islame luftuan për interesa e përfitime të kësaj bote, me çka ata zbritën nga piramida e formës të cilën e realizuan [arritën] paraardhësit e tyre derisa i pasonin mësimet e vërteta të fesë së tyre. Andaj nuk duhet të kritikojmë Islamin për ketë dështim, sepse ai është kundër këtyre luftërave. Duhet të theksojmë se edhe pjesëtarët e feve të tjera kanë zhvilluar luftëra në emër të fesë me të njëjtat qëllime porse feja është e pastër nga këto luftëra .

Islami i ka dhuruar njeriut liri absolute të mendimit. Ai e lartëson shpirtin e njeriut nga dhuna, për të jetuar kështu në paqe të përjetshme.

- Njeriu nuk ka nevoje për rituale fetare që të bëhet musliman. Islami jo vetëm që është fe praktike që përhapet shpejtë, por ai gjithashtu i përshtatet natyrës njerëzore. Çdo fëmijë për nga natyra është i përshtatshëm [gatshëm] për tu bërë musliman. Në këtë pikëpamje janë fjalët e Muhamedit a.s.: “Çdo fëmijë lind në fenë e pastër natyrore, e prindërit pastaj e edukojnë si hebraik, kristian apo zjarradhurues.”

UNË JAM MUSLIMAN [NJERI I PAQES]

- Unë besoj në një Zot [Allah]; Atë të cilit çdo krijesë i drejtohet e i mbështetet për çdo nevojë, Ai është me ne gjithmonë. Allahu xh.sh. thotë:…”Ai është që krijoi qiejt dhe tokën vetëm për gjashtë ditë, pastaj mbisundoi Arshin. Ai e di çka futet në tokë dhe çka del prej saj, çka zbret nga qielli dhe çka ngrihet në të, dhe Ai është me ju kudo që të jeni, All-llahu është përcjellës i asaj që punoni”(El-hadid 4)

Atij nuk i përngjet askush, askush nuk është si Ai, Ai është Krijues i çdo gjëje.

Unë besoj në të gjithë të dërguarit e Tij pa dallim mes Musaut a.s.dhe Isaut a.s., apo Muhamedit a.s.

Për mëkatet e mia kërkoj falje të drejtpërdrejtë nga Allahu pa ndonjë ndërmjetësim. Unë e përmend Allahun në çdo kohë. Atë e ndiej në veten time, rreth meje dhe kudo që shkoj. Ai gjykon veprat e mia, ndërsa unë i kryej urdhrat e Tij të kërkuara në Kur’an.

- Unë zbatoj të gjitha parimet islame, fali namaz, agjëroj, jap zekatin, vizitoj Qaben.

- Është e ndaluar mbytja e vetvetes apo e dikujt tjetër. Islami kërkon nga njerëzit që të jetojnë në paqe.

- Unë nuk bëj prostitucion, i druhem rrugëve të cilat më shpijnë në humbje duke ditur se njeriu është i krijuar i dobët. Allahu xh.sh thotë: “Dhe mos iu afroni imoralitetit [zinasë], sepse vërtetë ai është vepër e shëmtuar dhe është një rrugë shumë e keqe”. (Al-isra 32)

- Lumturia e mirëfilltë është ajo të cilën e arrijmë pa u penduar më pastaj pas saj. Kjo lumturi arrihet në pasurimin e shpirtit me vlera të moralit. Shembulli i kësaj është tregimi i njeriut i cili dëshironte të bënte prostitucion porse ndërgjegjja e tij e ndalonte, por që më pastaj nën ndikimin e alkoolit ai e mbyt njeriun i cili dëshiroi ta ndalonte nga akti i prostitucionit. Andaj nuk mbetet asgjë tjetër, pos të konkludojmë se alkooli është fajtor i mëkateve.

- Unë nuk luaj bixhoz i cilitdo lloj qoftë ai, sepse bixhozçiu nuk e nderon furnizimin e tij. Ta vësh fatin tënd në peshojën e lojës së letrave apo ngjashëm është dobësi e turpshme për personalitetin tënd. Allahu xh.sh thotë: “O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës [për fall] janë vepra të ndyta të shejtanit. Pra largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar” (El maideh 90)

- Muslimani as nuk merr dhe as nuk jep para me kamatë, sepse ajo është rrugë e shkatërrimit. Ai mund të jep hua për t’u ndihmuar nevojtarëve, por duhet kujdesur për ruajtjen e kapitalit të vet. Allahu xh.sh. thotë: “O ju që besuat, keni frikë Allahun dhe nëse jeni besimtarë të sinqertë, hiqni dorë prej asaj që ka mbetur nga kamata. E në qoftë se nuk e bëni ketë [nuk hiqni dorë nga kamata], atëherë binduni se jeni në konflikt me Allahun dhe të dërguarin e Tij. E nëse jeni penduar, atëherë juve u takon kryet e mallit tuaj, askë nuk e dëmtoni, as vetë nuk dëmtoheni. Por në qoftë se ai [borxhliu] është në gjendje të vështirë, atëherë bëni një pritje deri të vijë një çlirim. E ta falni [borxhin] në emër të lëmoshës, ajo nëse e dini, është shumë më mirë për ju.” (Bekareh-278-280)

- Muslimani nuk e përgojon askënd dhe nuk i përhap fjalët. Ata që e veprojnë këtë janë në pozitë sikur të kishin ngrënë mishin e vëllait të tyre të vdekur. Kjo ka të bëjë me ata, të cilët njollosin të tjerët prapa shpine, pa ju dhënë rast që të vetëmbrohen. Allahu xh.sh thotë: “S’ka dyshim se besimtarët janë vëllezër, pra bëni pajtim ndërmjet vëllezërve tuaj dhe keni frikë Allahun, që të jeni të mëshiruar [nga Zoti]. O ju që besuat, nuk bën të tallet një popull me një popull tjetër, meqë te përqeshurit mund të jenë më të mirë nga ata të cilët përqeshin dikë tjetër, e as gratë me gratë tjera, sepse mund të ndodhë që gratë e tjera të jenë më të mira se ato që përqeshin [duke nënçmuar njeri-tjetrin] dhe mos etiketoni njëri-tjetrin me llagape. Pas besimit është keq të përhapet llagapi i keq. E ata që nuk pendohen, janë mizorë. O ju që keni besuar, largohuni prej dyshimeve të shumta, meqë disa dyshime janë mëkat dhe mos hulumtoni për zbulimin e të metave të njëri- tjetrit, dhe mos përgojoni njëri-tjetrin; a mos ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet te vdekur? Atë pra e urreni! Kini frikë nga ndëshkimi i Allahut, e Allahu është mëshirues, Ai pranon shumë pendimin.” (El-huxhurat 10-11-12)

BESIMI DHE VEPRA

-Besimi pa vepër është besim i mangët. Besimi i vetmuar është i pamjaftueshëm nëse nuk manifestohet me vepra.

Muslimanët besojnë se do të japin llogari për veprat e tyre qoftë në këtë botë apo në botën tjetër. Secili musliman është përgjegjës për veprën e tij dhe askush nuk mund të bart përgjegjësinë e gabimeve të të tjerëve. Allahu xh.sh thotë: “Pasha kohën! Nuk dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njeri-tjetrin t’i përmbahen të së vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.” (Asr)

ISLAMI DHE SHOQËRIA

POZITA E FEMRËS NË ISLAM

- Burri dhe gruaja rrjedhin nga një origjinë. Secili prej tyre është i pajisur nga ana e Allahut me aftësi mendore dhe morale që të veprojnë me to; që të jenë përgjegjës në jetën e tyre, ndërsa gruaja për aq sa ka mundësi të kryej ato.

Si burri ashtu edhe gruaja kanë detyra të cilat i përshtaten natyrës së tyre. Në funksionin e gruas muslimane ajo duhet ti bindet urdhrave të burrit, ndërsa si nënë ajo duhet të edukoj fëmijët e saj; thënë shkurt ajo duhet të kaloj shumicën e kohës së saj në edukimin dhe rregullimin e familjes së saj, si obligim primar i saj. Nëse gruaja është e shtyrë të punoj për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, duhet të zgjedhë punën që i përshtatet natyrës së saj dhe konform parimeve islame, si p.sh. mësuese, infermiere, gjinekologe apo pediatër.

- Femra sipas Islamit ka arritur çdo respekt dhe të drejtë kudo që të jetë, edhe pse ajo në disa vende të Lindjes nuk i gëzon të drejtat e saj, dhe kjo si pasojë e mosrealizimit të parimeve islame në ato vende. Allahu xh.sh thotë: “Dhe nga faktet e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën [gratë] ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri e mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë” (Err-rrum 21)

SHPIFJET E ARMIQVE TË ISLAMIT

- Mendimet e gabuara të postuara kundër Islamit në librat e autorëve fanatikë nuk janë aspak të vërteta. Ata pa asnjë të drejtë shpërndajnë librat e tyre me shpifje në të katër anët e botës.

Gjykuesi i drejtë duhet të njohë së pari parimet bazë të një çështje, për të ardhur deri te mendimi i drejtë për të. Siç duket këta fanatikë veprojnë në shërbim te aspiratave kolonizuese, sepse ata heshtin para torturave që i bën Perëndimi kundër Lindjes së lënë doresh, kurse nga ana tjetër pretendon se lufton robërinë dhe i mbron të dobëtit. Ata kanë gjetur rrugën më të lehtë për shkatërrimin e popujve duke bërë shpërndarjen e alkoolit dhe përhapjen e dukurive tjera negative. A thua vallë, këto janë reformat qe i paraqet Perëndimi për Lindjen?

BARAZIA DHE VËLLAZËRIMI NË ISLAM

- Islami është fe e të gjithëve, për këtë ai thërret në barazinë mes të gjithë njerëzve para Krijuesit të tyre. Përkundër vendeve të ndryshme në të cilat jetojnë, ata duhet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në marrëdhënie reciproke të mira ku i pasuri ndihmon të varfrin. Të gjitha këto obligime reciproke përbëjnë sistemin e ekzistencës shoqërore. Çdo ndarje dhe diskriminim sipas racës, ngjyrës a kulturës nuk është prej parimeve Islame. Të gjithë njerëzit në Islam janë një familje e përbërë nga të zinjtë dhe të bardhët, të gjithë vëllezër me njëri-tjetrin. Allahu xh.sh. thotë “O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur; e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.” (Huxhurat –13)

GJYKIMI PERSONAL

Islami e inkurajon mendimin personal si dhe e respekton besimin e çdo individi në kufijtë e kuptimit të drejtë të fesë së pastër. Allahu xh.sh thotë: ” Thuaj: "Unë ju këshilloj vetëm me një gjë: Për hir të All-llahut të angazhoheni sinqerisht dy nga dy ose një nga një, e pastaj të mendoni thellë (që ta kuptoni) se shoku juaj (Muhammedi) nuk ka ndonjë çmendje. Ai nuk është tjetër vetëm që t'ju tërheqë vërejtjen për një dënim të ashpër (nëse nuk besoni)." (Seba’ 46)

ISLAMI DHE SHKENCA

Në Islam çdo musliman e ka për detyrë arritjen e sa më shumë njohurive. Allahu xh.sh. thotë: “….Allahu lartëson ata që besuan prej jush, i lartëson në shkallë të lartë ata të cilëve u është dhënë dituri.” (El-muxhadeleh –11)

PUNA

Pejgamberi a.s.thotë: ”Jepja punëtorit pagesën para se ti thahen djersët.”

Çdo punë e dobishme e cila e bën njeriun të jetojë i lumtur është punë e ndershme, ndërsa papunësia në Islam konsiderohet mëkat. Allahu xh.sh thotë: ”Dhe thuaj: Veproni e Allahu do ta shohë veprën tuaj, dhe i dërguari i Tij e besimtaret, e më vonë do të ktheheni te Njohësi i të fshehtës dhe të dukshmes, e do t’ju njoftojë për atë që vepruat.” (Teubah 105)

TEORIA EKONOMIKE

- Qeveria Islame është e obliguar t’u siguroj banorëve të saj nevojat elementare në strehim, ushqim dhe veshmbathje. Dihet mirëfilli se është praktikuar teoria e ekonomisë Islame për disa shekuj dhe ka treguar sukses. Islami ia siguron punëtorit rezultatin e punës qoftë ajo e vogël apo e madhe, sipas natyrës së saj. Prona private ka lindur si rezultat i një pune serioze të pronarit. Për këtë arsye Islami e respekton pronën private duke mbrojtur motivet kryesore të punës dhe jetës së pronarit.

TRASHËGIMIA NË ISLAM

Natyra e njeriut kërkon që emri i tij të mbetet përgjithmonë mbi sipërfaqen e tokës, pasi që ai pas vete le fëmijët dhe nipërit e tij, gjë që e shtyn atë të grumbulloj sa më shumë pasuri, respektivisht trashëgimi për pasardhësit e tij. Depozitimi i kësaj pasurie konsiderohet një faktor i rëndësishëm në zhvillim dhe bazë e trashëgimisë. Trashëgimia njëherit konsiderohet mjet për shpërndarjen dhe kthimin e drejtë të pasurive në Islam, sepse gruaja, djemtë dhe vajzat marrin pjesë në pasurinë e babait të tyre. Nëse personi nuk lë pas veti fëmijë atë e trashëgon gruaja me pjesëmarrjen e babait, motrave dhe vëllezërve të tij.

- Trashëgimia konsiderohet si mjet për shpërndarjen e pasurisë në vend të grumbullimit të saj te një pakicë e vogël që shpie në shtresën feudale. Njëherit realizohet drejtësia dhe mëshira mes fëmijëve dhe të afërmeve. Islami konsideron njeriun trashëgimtar të pasurisë e cila i është dhënë emanet nga Allahu xh.sh. Për këtë ai është i obliguar ta menagjojë atë në shërbim të njeriut. Allahu xh.sh thotë: “Mendjelehtëve [të papjekurve] mos u jepni pasurinë tuaj që Allahu e bëri për ju mëkëmbje, e ata ushqeni nga ajo,vishni dhe u thoni fjalë të mira”. (Nisa 5)

Mendjelehtëve nuk duhet dhuruar pasurinë e tyre derisa të arrijnë pjekurinë. Me këtë ruhet pasuria e tij nga shpërbërja, pasi që ajo konsiderohet thesar për dobinë e njerëzimit.

TREGTIA

- Tregtia konsiderohet ndër shtyllat kryesore të ekonomisë Islame, ku janë numëruar 9/10 e fitimit. Për ketë Islami ka vënë rregulla të prera për vendosjen e sigurisë në transaksionet tregtare. Pejgamberi a.s. ka thëne: “Si blerësi edhe shitësi gëzojnë lirinë e zgjedhjes gjersa vjen koha kur ndahen. Nëse i qëndrojnë besnik të së vërtetës dhe sinqerisht e bëjnë këtë, marrëveshja e tyre do të jetë e bekuar, por nëse preferojnë mashtrimin dhe hilet, marrëveshja e tyre, herët a vonë do të dështojë.” S.Buhari

MONOPOLI

- Rezervimi i ushqimit me qëllim fitimi të mëvonshëm është i ndaluar në Islam. Islami ka vendosur për këtë rregulla të cilat kontrollojnë tregtinë botërore për të qenë në përshtatshmëri me humanitetin njerëzor.

SHFRYTËZIMI

- Shfrytëzimi i padrejtë është i refuzuar me të gjitha format e tij derisa të mos bëhet e lehtë jeta për të gjithë njerëzit. Shteti është i obliguar të paguaj borxhet e të vdekurit për të parandaluar çrregullimet në treg, nëse i vdekuri nuk ka lënë nga pasuria e tij e mjaftueshme. Pejgamberi a.s. thotë: ”Unë kam të drejtë mbi besimtarët më shumë se vetvetja e tyre, andaj kush vdes prej tyre, dhe pas vete ka lëne borxh, më takon mua ta paguaj, ndërsa nëse ka lënë pasuri e paguajnë trashëgimtarët e tij.” S.Buhari

KAMATA

- Kamata është ndaluar në Islam. Parimi themelor për këtë është “Nuk ka dobi pa punë, as pasuri pa angazhim”. Allahu xh.sh thotë: ”Allahu e zhduk kamatën dhe e shton lëmoshën, Allahu nuk e do asnjë besëprerë e mëkatar.” (El-bekare 276). Për këtë edhe Kur’ani e ka krahasuar atë që vepron me kamatë si i çmenduri nga të prekurit e djallit.

NATYRA E ISLAMIT

- Islami është feja e vetme në botë e cila zbriti për mbarë njerëzinë dhe për të gjitha kohërat. Për këtë arsye:

1] Ajo është feja e vetme e cila përshtatet me natyrën e njeriut si moralisht ashtu edhe logjikisht pa ndonjë kundërthënie.

2] Ajo është feja e cila iu zbrit të gjithë pejgamberëve të dërguar nga Allahu xh.sh. tek popujt të cilët humbën rrugën e drejtë për shkak të injorancës, moskuptimit të drejtë të saj, si dhe si rezultat i pasimit të epsheve të tyre.

3] Islami kërkon nga besimtarët e tij që t’i besojnë të gjithë pejgamberët e Zotit.

4] Ka ngritur lartë rolin e arsyes dhe mendimit si gjykues i vetëm në çdo polemikë rreth besimit, sjelljes shoqërore dhe personale.

5] Thërret në barazi absolute mes të gjithëve, ndërsa ka kritikuar ashpër çdo konflikt mes popujve me qëllim dallimi mes racave njerëzore.

Allahu xh.sh.thotë: “O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.” (Huxhurat 13)

- Ndërsa në fund, vëllezër të nderuar, mbes me shpresë që këtë libërth ta lexoni me kujdes, sepse ju ndihmon në mësimin e parimeve të larta të kësaj feje, si dhe largimin e njerëzimit nga konfliktet e shpifura në drejtim të fesë pa asnjë bazë. Ne ndjehemi gjithmonë të lumtur derisa jemi në shërbimin tuaj rreth njohjes së vërtetë të Islamit.

Përkthyer më 23.12.2004

KAVAJË

Boton: Shoqata për predikimin Islam me qendër në Aleksandri – Egjipt.

معلومات المادة باللغة الأصلية